Implantologjia moderne

Implantologjia është teknika më e avancuar për të zëvendësuar dhëmbët që mungojnë, për të rikthyer besimin në vetvete me një buzëqeshje natyrale dhe të shëndetshme të cilën mund ta keni edhe brenda 24 orëve. Implanti dentar është një vidë e përbërë nga titaniumi, një material tërësisht biokompatibël. Kjo veti e tij bën të mundur integrimin në mënyrë perfekte me kockën duke u shndërruar në këtë mënyrë në një rrënjë natyrale mbi të cilën mund të vendoset një kurorë ose një urë në rastet e mungesave të shumta.

Klinika jone perdor implante te nje cilesie dhe garancie te larte si Straumman, Btk , Megagen Diamond, Ankylos Dentsply) siperfaqja e te cilave trajtohet me perberes te ndryshem per te pershpejtuar dhe lehtesuar procesin e osteointergrimit (ngjitja e kockes me implantin) . Fale games se gjere te elementeve protetike  te cilet kompanite distributor i ofrojne me garanci te perjetshme , mund te ndertojme dhemb fiks me funksionalitet, natyralitet dhe jetegjatesi maksimale.

Vendosja e implanteve dentare eshte nje procedure kirurgjikale  e thjeshte, e shkurter dhe pa dhimbje, gjate se ciles pacienti eshte totalisht i relaksuar si rezultat i sedacionit venoz koshient.

IMPLANTOLOGJIA E GUIDUAR

Implantologjia me guidë të kompjuterizuar është teknika më e përparuar e implantologjisë moderne botërore. Pasi mblidhen të dhënat imazherike nga skaneri 3D CBCT, mund të simulohet në kompjuter ndërhyrja e vendosjes së implanteve dhe të planifikohet me preçizion maksimal pozicionimi dhe inklinimi i tyre për çdo pacient.

Në këtë mënyrë shmangen probleme të shpeshta klinike dhe estetike që vijnë si rrjedhojë e keq vendosjes së implanteve dentare. Transferimi i projektit nga kompjuteri tek pacienti bëhet nëpërmjet prodhimit në laborator të shinave (maskerinave) kirurgjikale apo siç quhen ndryshe “ guida”.
Avantazhet e kësaj teknike janë:

  • Invazivitet minimal

Nuk përdoren bisturi, nuk hapen mukozat dhe nuk është nevoja pë qepje plage. Në këtë mënyrë nuk ka ënjtje, dhimbje apo hemoragji.

  • Kontrolli preçiz i pozicionimit të implantit

Kjo veçori ka më shumë vlerë në rastet kur për të fabrikuar një protezë fikse nevojitet një pozicionim me një kënd të caktuar të implanteve, për shembull në teknikat “All on 4” ose në rastet e mungesës së kockës dhe vendosjes së implanteve në pozicione të caktuara në mënyrë që të shmangen strukturat anatomike fqinje.

  • Prodhimi i protezës fikse provizore përpara ndërhyrjes

Falë implantologjisë së guiduar pacientit mund ti rikthehet menjëherë buzëqeshja nga dhëmbët e rinj që fiksohen menjëherë mbi implantet e sapo vendosur. Proteza fikse provizore prodhohet përpara interventit dhe është e gatshme për tu filetuar direkt në mbarim të tij

IMPLANTOLOGJIA ME NGARKESE TE MENJEHERSHME

Në hapat e parë të implantologjisë, pas vendosjes së vidës në kockë, ishte gjithmonë e nevojshme të prisje 3 ose 4 muaj për të vazhduar vendosjen e kurorës mbi të. Kjo është koha e nevojshme që nevojitet për osteointegrimin e implantit me kockën. Me zhvillimin e dentistrisë, kirurgjisë dhe teknologjisë, është tashmë e mundur që në të shumtën e rasteve të vendoset direkt një kurorë provizore mbi implantin e sapo pozicionuar në kockë.

Ngarkesa e menjëhershme mund të përdoret mbi një implant të vetëm kur zëvendësohet një dhëmb ose mbi 4, 6, 8 implante kur zëvendësohen gjithë dhëmbët e një nofulle. Proteza me ngarkesë të menjëhershme është një protezë fikse provizore që mbështetet mbi implante dhe jo një protezë provizore e lëvizshme me mbështetje mbi indet e buta. Proteza provizore që mbështetet mbi indet e buta dhe jo direkt mbi implante, mund ti shkaktojë bezdi pacientit si rezultat i lëvizjes, plagë në indet e buta dhe dëmtim të proçesit të integrimit të implanteve nga forcat shtypëse jo të përshtatshme.

Duhet të kemi parasysh që teknika me ngarkesë të menjëhershme mund të përdoret vetëm në pacientë që kanë kockë të favorshme në cilësi dhe sasi dhe stabiliteti primar i implanteve është mbi 35 N/cm. Kirurgu pasi analizon gjëndjen e kockës tuaj nga skaneri tre dimensional mund të përcaktojë nëse jeni apo jo kandidatë të mirë për ngarkesë të menjëhershme mbi implante.

ZEVENDESIMI I NJE OSE DISA DHEMBEVE

  • Nëse keni humbur një dhëmb të vetëm, për zëvendësimin e tij nuk është më e nevojshme të sakrifikoni dhëmbët ngjitur për të bërë një urë. Një implant dentar është zgjidhja ideale për këtë rast.
  • Mungesa e disa dhëmbëve mund të zëvendësohet me ura që mbështeten mbi implante dentare. Në këtë mënyrë mund të zëvendësohet edhe e gjithë harkada dentare.

ZEVENDESIMI I TE GJITHE HARKADES DENTARE

  • Me implantet dentare është e mundur të zëvendësohen të gjithë dhëmbët në rastin e mungesës totale të tyre. Në këtë mënyrë nuk keni pse të vuani apo te sikletoseni nga frika e lëvizjes së protezave gjatë ushqimit apo bashkëbisedimit me miqtë tuaj.

    Numri minimal i implanteve dentare, që nevojiten për të zëvendësuar me dhëmbë fiks një harkadë të plotë, është katër. Nga kjo vjen edhe emri i teknikës “All on 4” ose “ E gjitha mbi katër”. Por sa më i lartë të jetë numri i implanteve në një nofull aq më mirë do të jetë funskioni dhe jetëgjatësia e tyre, sepse forcat shpërndahen në mënyrë të barabartë mbi secilin implant dhe zvogëlohet mundësia që njëri prej tyre të mbingarkohet.

    Në përgjithësi nofulla e sipërme kërkon një numër më të madh implantesh sepse cilësia e kockës nuk është e njëjtë më nofullën e poshtme, prandaj për zëvendësimin e të gjithë dhëmbëve në nofullën e sipërme zakonisht përdoren teknikat “All on 6” dhe “All on 8”.

TEKNIKA ALL ON 4

 

  • Kjo teknikë konsiston në vendosjen e katër implanteve dentare dhe fiksimin e një proteze fikse mbi to. Zakonisht përdoret në nofullën e poshtme në rastet kur pacienti nuk ka kockë të përshtatshme për vendosjen e gjashtë implanteve. Në këtë mënyrë dy implantet e fundit pozicionohen në një kënd të pjerrët duke evituar kështu struktura të rëndësishme anatomike siç është nervi mandibular dhe sinusi maksilar.

    Kjo teknikë nuk është shumë e indikuar për nofullën e sipërme sepse kocka në këtë nofull është më e brishtë dhe mundësia për të pasur komplikacione është më e lartë. Pas 24-48 orësh, mbi këto implante është e mundur të vendoset një protezë fikse provizore, e cila do të zëvendësohet pas 3 ose 4 muajsh me një protezë përfundimtare fikse metal -porcelani ose zirkoni.

TEKNIKA ALL ON 6

 

Në këtë teknikë proteza fikse mbështetet mbi 6 implante dhe ky është standarti i artë për implantologjinë. Kur gjëndja e kockës e lejon, kirurgu gjithmonë përpiqet të vendos të paktën gjashtë implante në një nofull sepse ky numër jep një garanci të përjetshme për protezën dhe për vet stabilitetin e implanteve.

Me këtë teknikë zëvendësohet në mënyrë perfekte e gjithë harkada dentare më një numër maksimal dhëmbësh: 12 ose 14 dhëmbë metal-porcelani ose zirkoni. Në rastet kur cilësia e kockës nuk është e mirë, zakonisht kjo ndodh në nofullën e sipërme, atëherë kirurgu rrit numrin e implanteve duke vendosur 7 ose 8 implante në një nofull.

IMPLANTS + OVERDENTURE

Në ndryshim nga teknikat e mësipërme në këtë sistem punimi definitiv nuk është i filetuar apo i ngjitur mbi implantet, por është kapur me to me një sistem barrë-kontrabarrë ose me një sistem atashmentesh mashkull-femër. Faza kirugjikale mbetet e ngjashme me teknikat e tjera dhe mund të përdoren 6, 4 ose ndonjëherë edhe 2 implante për të mbajtur protezën.

Në dallim nga protezat tradicionale të lëvizshme ky punim është fiks gjatë funksionit, kështu që nuk duhet të keni frikë se proteza mund të ju dali nga goja gjatë ushqimit apo gjatë bashkëbisedimit me miqtë tuaj.

Proteza “ Overdenture” ka një pllakë rezine shumë më të vogël se ajo tradicionale dhe kjo bën që ju të mësoheni shumë lehtë me të. Gjithashtu me këtë lloj punimi, ju nuk do keni më nevojë të përdorni pastat adezive që shërbejnë për ngjitjen e protezave tradicionale.

Proteza “Overdenture” mund të hiqet nga goja falë një teknike që do ju mësohet nga stafi ynë. Avantazhet kryesore të saj janë stabiliteti, estetika dhe higjena e shkëlqyer që mund të mbahet nga pacienti. Kur mbaroni ushqimin proteza mund të hiqet dhe kjo ju jep shumë lehtësi për të pastruar implantet dhe rezinën e protezës. Higjena siguron jetëgjatësi maksimale të punimit duke qënë se është faktori kryesor në prognozën e implanteve. Ky lloj punimi duke qënë se mund të bëhet edhe me dy implante , ofron një zgjidhje edhe për pacientët që nuk kanë mundësi ekonomike për punimet e tjera.

Translate »
Scroll to Top

Rezervo Konsultë